Një aksident tragjik me pasojë vdekjen e një shqiptari dhe plagosjen e katër të tjerëve ka ndodhur në Itali këtë të diel në zonën mes Tuscania-s dhe Montalto-s.
Mediat italiane raportojnë se makina tip “Golf” është përplasur me një pemë. Brenda ndodheshin pesë persona, të gjithë shqiptarë.
Sipas autoriteteve, viktima ka ndërruar jetë pak çaste pas përplasjes, ndërsa katër shqiptarët e tjerë janë të gjithë të plagosur rëndë.
Në ndihmë të tyre janë dërguar dy helikopterë dhe dy ambulanca, ndërsa karabinierët janë duke hetuar për të zbuluar shkaqet që çuan në përplasjen e makinës.
Disa media të vendit fqinj raportojnë se makina me të cilën lëviznin shqiptarët bëri një manovër për të shmangur një tjetër automjet tip “Smart” para se të përplasej me pemën. Ndërsa të tjera raportime flasin për një garë shpejtësie mes “Golf”-it dhe një tjetër automjeti, ende të paidentifikuar nga Policia.





