Sot bëhen gjashtë muaj që nga vrasja e liderit të SDP-së në Mitrovicën e Veriut, Oliver Ivanoviç. Dy muaj pas vrasjes së tij, hetimet për zbardhjen e krimit i mori në dorë Prokuroria Speciale e Kosovë.
Nënkryetarja e partisë të cilën dikur e drejtonte Ivanoviç, Ksenija Bozhoviç i ka thënë agjencisë së lajmeve "Beta", se askush nga familja apo miqtë e Ivanoviçit nuk ka marrë ndonjë informacion të ri nga hetimet lidhur me rastin.
"Ndërsa koha po kalon, ne po e shohim se e vërteta nuk i përshtatet as Qeverisë së Kosovës e as asaj të Serbisë, mirëpo as komunitetit ndërkombëtar", deklaroi Bozhoviç.
Tutje, ajo tha se, sipas saj, nuk ekziston vullneti që e vërteta mbi vrasjen e Ivanoviçit të zbardhet. "Është e qartë që nuk ka vullnet politik, sepse siç duket fajtori qëndron prapa tyre. Nuk shoh ndonjë arsye tjetër", u shpreh ajo.
Siç thotë Bozhoviç, i vetmi zhvillim i ri në këtë drejtim është takimi mes hetuesve nga Prishtina dhe Beogradi. Oliver Ivanoviç u vra më 16 janar të këtij viti përpara zyreve të partisë së tij në Mitrovicën e Veriut.