Operacioni i koduar “The Weekend Surprise” i Policisë së Tiranës, ka prangosur një 44-vjeçar, i cili shpërndante kokainë në disa zona të kryeqytetit dhe ka shpallur në kërkim dy bashkëpunëtorët e tij.

Bëhet fjalë për shtetsin Fatjon Veseli, i dënuar më parë për drejtim automjeti në gjendje të dehur. Uniformat blu ishin në ndjekje të 44-vjeçarit Veseli, pasi dispononin informacion ai shpërndante lëndë narkotike të llojit kokainë në formë dozash në bazë klientele, në zonën e “Ish- Bllokut”, “Komunës së Parisit” dhe “Tiranës së Re”.

Fatjon Veseli u kap në flagrancë në zonën e liqenit artificial dhe gjatë kontrollit personal, brenda çantës së tij i është gjetur 201 gram kokainë. Policia sekuestroi gjithashtu një motor dhe një celular.

Gjithashtu gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e këtij shtetasi është gjetur një motor pa targa, i cili pas verifikimeve të kryera rezultoi i vjedhur.

Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike”