Të tjera detaje dalin në dritë nga ngjarja e rëndë që u zbulua sot në Nikël të Fushë-Krujës, ku u gjet i vrarë dhe i groposur Elion Hysa. Ky i fundit ishte shpallur i zhdukur që prej 5 korrikut nga familjarët e tij.
34-vjeçari është gjetur i groposur pranë varrezave të fshatit Shelqet, ndërsa ishte qëlluar me një plumb në kokë. Grupi hetimor bën me dije se autorët, e kanë qëlluar viktimën me një pushkë. Ndërkohë, pasi u zhvarros, trupi i pajetë i të riut u dërgua në morg ku do t’i nënshtrohet edhe ekspertizës mjeko-ligjore, për të vërtetuar kështu edhe faktin nëse ai ishte torturuar para vdekjes.
Drejtoria vendore e Policisë Durrës nga të dhënat e para ka përjashtuar si pistë të vrasjes për shkak të hakmarrjes, ngjarjen e ndodhur në Sarandë, ku Hysa akuzohet se vrau pronarin e një lavazhoje në 2015-ën. Aktualisht policia po heton rreth dy pistave, asaj të një borxhi të pashlyer, apo dhe përfshirjen në ndonjë bandë të narko-trafikut.
Keisi Elion Hysa kishte marrë një dyqan me qira në Nikël dhe në datën 5 korrik kishte lënë një takim me telefon me një person nga kjo zonë që kishte një mobilieri, konkretisht me shtetasin me inicialet H.R, pronar i mobilerisë, i cili rezulton si një nga të dyshuarit që është shoqëruar. Por pas ditës së takimit ai u zhduk pa gjurmë dhe familja nuk kishte më asnjë informacion për të.
Personi në fjalë pohoi se kishte lënë takim por se 34-vjeçari nuk kishte ardhur dhe nuk ishin takuar. Hysa sipas policisë, rezulton person i shpallur në kërkim pasi gjykata ka caktuar masën e sigurisë “arrest me burg” me akuzën për vrasje me paramendim dhe armëmbajtje pa leje për një ngjarje të ndodhur në Sarandë tre vite më parë.





