Shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini ka caktuar për të mërkurën më 18 korrik raundin e ri të bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Në një njoftim të zyrës së saj thuhet se në takimin ndërmjet presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe atij të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, do të shqyrtohet përparimi në diskutimet për marrëveshjen gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve si dhe për planet dhe hapat e ardhshëm për t’u siguruar se puna do të vazhdojë më një ritëm të përshpejtuar.
Muajin e kaluar të dyja palët ishin pajtuar “të intensifikojnë punën në javët në vazhdim”, në kërkim të një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse për normalizimi i marrëdhënieve, që është kusht për të dyja vendet për integrim në Bashkimin Evropian. Por, ende është e paqartë se çfarë mund të jetë ajo marrëveshje.
Prishtina thotë se ajo duhet të përfshijë njohjen e ndërsjellë dhe anëtarësimin e Kosovës në Kombet e Bashkuara. Beogradi që kundërshton pavarësinë e Kosovës, kërkon një “kompromis”, por pa e qartësuar se cili mund të jetë ai. Një pjesë e politikanëve ne Serbi tashmë e kanë përsëritur se zgjidhje mund të ishte ndarja e Kosovës, përkatësisht që veriu i saj i banuar me shumicë serbe t’i takojë Serbisë, ide që është hedhur poshtë nga Prishtina. /VOA