Ndërsa Botërori Rusi 2018 ka hyrë në fazën e tij më drithëruese, emocionet janë gjithnjë e më të forta, pasi mbrëmjen e së martës dhe të mërkurës do të mësohen emrat e ekipeve finaliste.

Drejtuesit vendorë dhe politikanët durrsakë nuk kanë sesi t’i shpëtojnë magjisë së Botërorit, megjithëse jo të gjithë janë të kënaqur me performancën e ekipit të tyre të zemrës.

Mbrëmjen e sotme, pak para fillimit të mbledhjes së Këshillit Bashkiak, gazetarja e DurrësLajm pyeti dy prej tyre, kryebashkiakun Vangjush Dako dhe kreun e këshilltarëve demokratë, Armand Teliti.

Dako njihet nga të gjithë si një tifoz i hershëm i Hollandës, por fakti që ekipi i tij i zemrës nuk arriti të merrte pjesë në Botëror, e ka bërë që të zgjedhë një ekip tjetër për të bërë tifo.

Kroacia duket se ka tërhequr vëmendjen e kryebashkiakut dhe siç rrëfen vetë ai, i ka ndjekur të gjitha ndeshjet e ekipit ballkanas, që mbrëmjen e së mërkurës ka një ndeshje mjaft të fortë kundër Anglisë. Njëri prej dy ekipeve do të presë biletën për finale, ndërkohë që humbësi do të ndeshet me humbësin e ndeshjes Francë-Belgjikë, për të siguruar vendin e tretë në Rusi 2018.

Dako, nuk diskutohet që shpreson që Kroacia të shkojë në finale, e pse jo, të sjellë Kupën e Botës në gadishullin ballkanik.

Ndërkohë Teliti e sheh këtë botëror pa shumë emocione. Gjermania, ekipi i tij i zemrës, u largua që në fazën e grupeve, duke lënë të zhgënjyer të gjithë tifozët e flaktë të saj.