48-vjeçarja Vjollca Dervishi është një prej atyre bashkëshorteve “heroina” që pasi mbeti pa asnjë shpresë në qytetin e Durrësit, ju drejtua fshatit për të mbajtur frymën gjallë. 48-vjeçaren e gjetëm duke thurrur kurora, qepët që kishte mbledhur nga baçja e saj si zaire për dimrin.
Vetëm një vit më parë kishte marrë guximin dhe kishte mbledhur ato pak plaçka që kishin së bashku me dy fëmijët e bashkëshortin dhe nga Durrësi kishin përfunduar në fshatin Hamallaj.
Një i afërm i tyre ju kishte lënë në ruajtje shtëpinë dhe atë tokë që kishte, duke bërë që familja të lërë qytetin përfundimisht.
Më vështirë për t’u përshtatur me jetën në fshat e kish patur djali 12-vjeçar, i vogël i familjes i cili shkollën e nisi në fshat, ndërsa vajza 16-vjeçare pasi përfundoi klasën e 9-të në Durrës nuk e vijoi më tej.
Vjollca në një intervistë për “DurrësLajm” rrëfeu se si e mori vendimin për të lënë qytetin ku për vite e vite me radhë kishin qenë të pastrehë në banesa me qera, të papunë e pa të ardhme.
"Mbeta tek Zyra e Punës duke kërkuar punë. Si unë si im shoq të papunë e pa asnjë të ardhur në Durrës. Këtu punojmë tokën e çfarë prodhojmë, ca e shesim e ca e mbajmë për vete të ushqehemi. Është sakrificë por sakrificat i bëjnë njerëzit e gjallë. Më vjen keq për djalin se ai nuk mësohet dot me jetën e fshatit, ndërsa vajza meqë ishte pa të ardhme këtu e fejuam që në moshë të vogël me një djalë nga Tirana. Të iki të shohë jetën e saj sepse pa të ardhme do të jetë këtu, të mos vuajë si ne," tha 48-vjeçarja.
Vjollca tregon se lindi në Ishëm por shpejt familja e saj u zhvendos në Durrës. Në qytet u martua e krijoi familjen por nuk qe e thënë të punësoheshin duke kaluar një jetë të tërë mes varfërisë dhe mjerimit, të papunë e pa të ardhme.
K.H.





