Një aksident i rëndë ka ndodhur pasditen e së premtes në Bulqizë. Një furgon është rrëzuar në humnerë dhe për pasojë kanë mbetur të plagosur 4 persona, dy prej të cilëve në gjendje të rëndë.
Aksidenti ka ndodhur në rrugën Qafë Bualli-Krastë.
Njoftimi i policisë:
Rreth orës 17.50, Policia e Bulqizës ka marrë njoftim se në aksin e rrugës dytësore Krastë-Bulqizë, një automjet ka dalë nga rruga.
Menjëherë është ngritur grupi hetimor ku nga verifikimet paraprake kanë konstatuar se ka dalë rreth 20 metra poshtë rrugës, automjeti tip 'Mercedez Benz', me drejtues Y.H, dhe për pasojë janë dëmtuar pasagjerët A.S, 45 vjeç, i cili është transportuar me helikopter drejt Tiranës, D.M, 42 vjeçe, është transportuar me ambulancë drejt Tiranës, Xh.K, 44 vjeçe, dhe V.K, 32 vjeçe, të cilat po marrin ndihmë në Spitalin e Bulqizës, jashtë rrezikut për jetën.
Po punohet për kapjen e drejtuesit të automjetit, pasi është largur nga vendi i ngjarjes.
Grupi hetimor vijon hetimet në vendin e ngjarjes, po punohet për zbardhjen e shkaqeve të aksidentit.





