Një shqiptar, i cili tentoi të fuste emigrantë të jashtëligjshëm në Mbretërinë e Bashkuar në një gomone është dënuar me 6 vjet heqje lirie. Afrim Xhekaliu, 40-vjeç, sipas autoriteteve britanike, tentoi të fuste ilegalisht 7 burra dhe 1 grua të gjithë shqiptarë, më 31 Janar të këtij viti.
Ndonëse e mohoi përfshirjen e tij në këtë operacion, juria në Gjykatën e Lewes e shpalli atë fajtor. Dënimi me 6 vjet burg u dha këtë të enjte, pas gjyqit të zhvilluar ndaj tij për krijimin e kushteve për emigracion të jashtëligjshëm.
Xhekaliu, i cili jetonte në Barnet të Londrës u arrestua në Eastbourne pasi u gjet në një gomone së bashku me 8 emigrantë të jashtëligjshëm në bord. Hetuesit besojnë se varka ishte nisur nga Franca disa orë më herët.
Prokurorja Margaret Adebayi tha se Xhekaliu e kishte mohuar përfshirjen e tij në trafikun e jashtëligjshëm të njerëzve dhe pretendonte se ishte thjeshtë një pasagjer në atë varkë. “Por nga provat e siguruara nga akuza, përfshirë mesazhet në telefonin celular të Xhekaliut, tregohej se ai ishte i përfshirë në lehtësimin e futjes në mënyrë të jashtëligjshme të të tjerëve në Britani dhe kjo bëri që juria ta shpallte fajtor”.
Ndërkohë mediat britanike kanë publikuar videon e momentit kur autoritetet britanike, më 31 Janar shpëtuan personat që ndodheshin në gomonen, e cila u gjet në vështirësi për shkak të dallgëve në Kanalin Britanik.





