Një 53-vjeçar nga Durrësi ka rënë në prangat e policisë, pasi teksa tentoi që t’i ‘arratisej’ forcave të rendit është përplasur me një kasolle bagëtish.

Ngjarja ka ndodhur në fshatin Papër, në aksin Elbasan-Peqin, ndërsa autori është shtetasi Bashkim Sulejmani, banues në Durrës.

Sulejmani teksa drejtonte mjetin tip "traleri" me targa SK 838 TB, ka dalë nga rruga, dhe nuk i është bindur punonjësit të policisë për të bërë testin e alkoolit.

Për pasojë, thuhet në njoftimin zyrtar, 53-vjeçari ka dëmtuar kasollen e bagëtive, ku ka shtypur një lopë e disa shpendë në pronësi të shtetasit T.S., 43 vjeç, banues në fshatin Papër, Elbasan.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës Parë Elbasan, për veprat penale, "Drejtimi i automjeteve në gjendje të dehur apo pa dëshmi", dhe "Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik", të parashikuar nga nenet 291, 242 , të Kodit Penal.