Në Gjykatën e Durrësit, sot kanë dalë për t’u njohur me masën e sigurisë të arrestuarit në lidhje me sekuestrimin e 3,4 milionë eurove në portin e Durrësit pak ditë më parë.

Prokurorja e çështjes Ornela Rrumbullaku, kërkon vlerësimin e ligjshëm të arrestit të kryer ndaj 4 të akuzuarve: Klevi Lika 21 vjeç, Edi Lika 41 vjeç, Agim Ceka 61 vjeç dhe Alban Mollaymeri 40 vjeç.

Gjatë kontrollit të ushtruar në Pikën e Kalimit Kufitar Durrës, në mjetin tip “Bizark”, të drejtuar nga shtetasi Agim Ceka dhe pronar Klevi Lika (Cani), në 2 automjete të ngarkuar në të, tip ‘Toyota’ janë gjetur një shumë e konsiderueshme eurosh dhe franga zvicerane, të padeklaruara.

Dyshimet se 3 milionë e 366 mijë euro vijnë nga droga kanë shtuar diskutimet në organin e akuzës që dosja e Durrësit të përcillet pranë Prokurorisë së Krimeve të Rënda.