Rreth orës 22:15 të mbrëmjes së të dielës, një aksident me pasojë vdekjen është regjistruar në aksin rrugor Fier-Lushnje.
Makina e drejtuar nga 26-vjeçari Euxhenio Prendi ka përplasur një këmbësore, ende të paidentifikuar, e cila ka ndërruar jetë në vend.
Si pasojë e aksidentit, janë plagosur edhe drejtuesi i makinës së bashku me të fejuarën e tij 22-vjeçare që gjendej pasagjere në mjet.
Informacioni paraprak i policisë:
Në datën 17.06.2018, rreth orës 22:15, në aksin rrugor Fier-Lushnje, në afërsi të hotel “Adma”, shtetasi Euxhenio Prendi, 26 vjeç, banues në Lushnje, duke drejtuar mjetin tip “Volkswagen” ka aksidentuar një shtetase të seksit femër e cila ka gjetur vdekjen.
Drejtuesi i mjetit pas përplasjes me këmbësoren ka devijuar dhe ka dalë nga rruga.
Për pasojë është dëmtuar drejtuesi i mjetit dhe e fejuara e tij e cila ishte pasagjere në mjet, shtetasja D.K, 22 vjeçe, të cilët ndodhen në Spitalin Lushnje nën kujdesin e mjekëve.
Grupi hetimor po punon për identifikimin e viktimës dhe zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.





