Nga Veton Surroi

Si u bë Kosova mesdhetare dhe si po bëhet një pompë e madhe derivatesh.

1.

Më ra në mend ajo thënia japoneze se njeriun nuk e ndihmon duke i dhuruar peshk, por duke e mësuar të peshkojë, ndërsa isha në një restorant në Prishtinë, i ftuar për drekë nga një diplomat.

Restoranti ka një klientelë nga më të çuditshmet. Aty rregullisht gjendet ndonjë diplomat, ndonjë yll i estradës, ndonjë afarist, ndonjë politikan që bën pjesë në pushtet, ndonjë grup të rinjsh me fjalor të varfër dhe mungesë mirësjelljeje e që duken si kontrabandistë, por nuk janë figura politike – shkurt një përzierje që ka të përbashkët afinitetin ndaj peshkut të freskët dhe mundësinë për ta paguar atë.

Peshku është i freskët, mbërrin çdo ditë nga Shqipëria dhe është pjesë e një fenomeni, i cili qe i parashikueshëm shumë vjet më parë, kur filloi së ndërtuari autostrada që do të lidhte Durrësin me kufirin e Kosovës. Fenomeni ishte ndryshimi gjeografik që do ta bënte rruga, duke e shndërruar kulturalisht Kosovën në një vend mesdhetar, një lloj hinterlandi i Adriatikut shqiptar.

Arritja e peshkut të freskët, çdo ditë, e bënte Prishtinën kulinare aq mesdhetare sa edhe Tiranën në ato fillimet e demokracisë, një lloj zbulimi i mistereve të detit.

Por, ndryshimi mund të ndodhte vetëm nëse kishte klientë për peshkun, dhe për këtë u kujdes një autostradë tjetër. Autostrada e ndërtuar prej kufirit me Shqipërinë deri në Prishtinë nuk kishte për qëllim më peshkun, por klientin e peshkut. Peshku i ardhur me frigorifer deri në kufi të Kosovës e kishte të njëjtë a mbërrin për një orë e gjysmë në Prishtinë apo për dy – nuk do të kishte gjë që do të mund të ndikonte në cilësinë e tij për gjysmë ore më shumë rrugë. Por, ky peshk nuk do të ishte cilësor po të mos hahej, e për t’u ngrënë u përkujdes pushteti i cili ndërtoi autostradën më të shtrenjtë në Evropë, prej kufirit të Shqipërisë deri në, supozohet, Prishtinë.

Ashtu siç qe supozuar se kemi një autostradë prej kufirit deri në Prishtinë, të bëjmë një supozim të edukuar (në bazë të një analize të gjatë në revistën prestigjioze “Foreign Policy”) se në këtë projekt janë vjedhur diku 300 milionë euro. Dhe të supozojmë se një pjesë e këtyre pareve nuk është fshehur jashtë Kosovës (për shkak të frikës se disi zbulohen) dhe se gjendet në vend; kjo i bie shumë para për peshk apo jo?

2.

Në fakt, i bie se elitat politike në pushtet e kanë adaptuar mësimin japonez. Kanë parë se nuk ka gjë të hairit prej peshkut të dhuruar dhe janë mësuar ta peshkojnë vetë.

E bëjnë këtë duke e përdorur buxhetin e shtetit si një lloj thesi parash që duhet shpenzuar për inat të Serbisë (si të ishin paratë e Serbisë); lista e zyrtarëve që hanë peshk me paratë e qytetarëve të Kosovës të mbledhura në buxhet rritet ditë më ditë në progresion gjeometrik.

Por, kjo është vetëm Maja e Ajsbergut. Paraja e vjedhur apo, të themi, e supozuar se është vjedhur nga autostrada që e sjell peshkun prej kufirit deri në Prishtinë ka hyrë në riinvestim. Dhe kjo para supozohet se ka gjetur mundësi të madhe shpëlarjeje në ndërtim. Dhe të hyrat nga ajo shpëlarje dhe nga vjelja e buxhetit janë të futura në konsumin e elitës politike në pushtet.

Kështu e kanë mbyllur ciklin e peshkut më të shtrenjtë në botë. Në mënyrë që ata të hanë peshk të freskët çdo ditë, qytetarët e Kosovës është dashur ta paguanin një miliard euro autostradën prej Morinës deri në, të supozojmë, Prishtinë. Të supozojmë se shuma është një miliard euro, sepse ende është sekret se sa kanë paguar qytetarët e Kosovës.

3.

Kosova u bë mesdhetare me autostradën që e bëri Shqipëria deri në kufi. Pastaj u kriminalizua edhe më me elitat e veta politike duke ndërtuar një autostradë thellësisht të korruptuar prej kufirit deri në, supozohet, Prishtinë. Pastaj u konsolidua elita kriminale-politike në të duke futur paratë e vjedhura, të supozuara si të vjedhura, në ndërtim dhe forma të tjera afarizmi.

Ky është një minileksion gjeopolitik. Në të pastaj mund të zhvillohen supozime të tjera. Njëri për shembull është se ashtu si erdhi peshku, erdhi edhe nevoja që të mos ketë sundim të ligjit. Nëse kapet peshku, duhet kapur edhe rendin e ligjin, shtetin. Nëse rendi dhe ligji nuk janë të kapur, nuk do të mundë të hahet peshku.

Dhe nëse kapet shteti, atëherë çdo gjë i subordinohet ciklit të peshkut. Për 20 vjet rresht ka ekzistuar mundësia që vëmendja të shkonte nga konsolidimi i një shteti demokratik dhe për 20 vjet rresht forcat e kapjes së shtetit kanë qenë të suksesshme për ta mësuar veten se si të kapet peshku.

4.

Gjeografia politike e Kosovës së shpejti do të ketë edhe dy ndryshime.

Gjatë këtij viti me paratë e qytetarëve të Kosovës do të përfundojë autostrada për në kufirin e Maqedonisë. Do të ketë dy efekte. Një, do të rrisë fondet e elitave politike-kriminale të cilat e paguajnë këtë autostradë shumëfish më shtrenjtë sesa kostoja. Dy, do të rrisë aftësinë e produkteve dhe shërbimeve, superiore, të Maqedonisë që të kenë qasje në tregun e Kosovës.

Dhe, gjatë dy-tre vjetëve të ardhshëm Serbia me paratë e Bashkimit Evropian do të ndërtojë autostradën prej Nishit deri në kufirin me Kosovën. Serbia me këtë do t’u afrohet me produktet e veta superiore tregjeve shqiptare (të Shqipërisë dhe Kosovës) dhe Shqipëria do t’i afrohet Serbisë me produktet dhe shërbimet e veta superiore (Porti i Durrësit, turizmi, pemët dhe perimet e hershme).

Kosova atëherë, me dy miliardë euro të qytetarëve të saj të shpenzuara në asfalt dhe vjedhje, do të bëhet gjeo-politikisht e barabartë me një pompë të madhe të benzinës, në të cilën ndalen veturat dhe kamionët për të shfrytëzuar tualetin, për të pirë kafe dhe për të blerë ujë.

Peshku, i cili kushtoi fillimisht një miliard euro, do të vazhdojë të serviret i freskët, i përgatitur gjithnjë e më mirë.

/KOHA Ditore/