Bashkëbisedimi i kryeministrit Edi Rama me banorët e Lurës kaloi jo pa debate.
Një vajzë e re, aktiviste e organizatës mjedisore Ecovolis, ngriti shqetësimin për shpyllëzimin e maleve të Lurës dhe shkatërrimin pa kriter të masivit të pishave në këtë zonë me potenciale të jashtëzakonshme turistike.
Një tjetër shqetësim i ngritur prej saj ishte edhe mungesa e rrugës, duke i kërkuar që nëse bëhet projekti të parashikohet që të shkojë deri te 7 liqenet e famshme të Lurës.
Kryeministri Rama përqafoi idenë e rrugës por tha se duhet të jemi realistë pasi mundësitë në buxhet janë të pakta.
Vajza: Këtu po, është bukur, ngjan bukur por nëse ngjitesh lart është një katastrofë mjedisore. Rruga do 2 orë në këmbë për të ecur apo 1 orë e gjysmë me makinë që kur të zbresin poshtë janë të shkatërruara. Megjithatë nëqoftëse do bëhet projekti i rrugës, kini parasysh që të shkojë deri te 7 liqenet sepse ato janë perla.
Rama: Përsa i përket atyre që duhen bërë këtu, unë e di. E di mirë që janë shumë gjëra që duhen bërë, jo vetëm këtu por në gjithë Shqipërinë. Ajo që ka rëndësi është që të bëhen me radhë duke ditur me ekzaktësi se kush e ka radhën në fillim e kush e ka mbrapa se të gjitha njëherësh nuk bëhen dot. Duke bërë gjënë e duhur sipas radhës të krijohen energji si rezultat i gjërave që bëhen dhe më pas të shohim për më tutje.
Më the që ta çojmë rrugën deri në majë të malit. Unë jam me një mendim tjetër. Unë jam që në majë të malit të bëjmë një pistë helikopterësh që të shkojmë dhe në qiell, por t'i bëjmë me radhë se fillimisht bëjmë rrugën për të ardhur këtu, pastaj ta çojmë në majë të malit, pastaj të bëjmë dhe ndonjë teleferik siç tha Adelina për të zbritur poshtë duke rrëshqitur dhe duke parë bukuritë.
Çështja është të jemi realistë dhe të kuptojmë se sa janë mundësitë tona. Është njësoj si t'i them unë dikujt këtu, përse e ka ajo shtëpi atje një çati të kuqe, një gri, një të bardhë, pse si merr ta bësh të gjithën njëherësh. Çfarë do thojë ai? S'do ta bëjë? Jo, di ta bëjë, por nuk ka mundësi ta bëjë.





