Deputeti i PD-së, Enkelejd Alibeaj në një dalje nga selia blu u shpreh se biznesmeni Sinan Idrizi, i ka dhënë dje borxh Edi Ramës emrin e tij për të lëshuar banalitete prej të forti ne adresë të Partisë Demokratike.
Sipas Alibeajt neuroza e re, që bashkëpunëtorët ia njohin si “Makthi i Babales”, i shfaqet Edi Ramës sa herë ai kapet nga opozita në afera gjigande korruptive, kriminale dhe klienteliste.
Reagimi:
Prandaj, pasi urdhëroi dy televizionet kombëtare të censurojnë opozitën për aferën korruptive të Air Albania, Edi Rama përdori emrin e Sinan Idrizit për të bërë si i fortë duke kërcënuar opozitën me gjyqe dhe burg.
E vërteta është se kompania e Sinan Idrizit u krijua me një fond qesharak vetëm 9 ditë para vendimit të firmosur nga Edi Rama që e bëri Sinan Idrizin pronar në një biznes të përbashkët me qeverinë, siç është biznesi multimilioner i kompanisë ajrore Air Albania.
Përpara se t’i marrë borxh emrin Sinan Idrizit për të kërcënuar me gjuhë banale opozitën, Edi Rama duhet t’u shpjegojë shqiptarëve:
Kush është Sinan Idrizi?
Si vendosi të bëjë biznes me Idrizin?
Me çfarë është marrë në të shkuarën Idrizi dhe prej nga burojnë paratë e tij?
Si vendosi Edi Rama për aksionet që do të marrë Idrizi tek Air Albania?
Sa para do të investojë shteti në Air Albania?
A po investohen tek Air Albania dhe tek Aeroporti i Vlorës para të pista të familjes Rama dhe të ndonjë fondacioni të huaj?
I vetmi reagim i Ramës prej 3 ditësh ishte fletërrufeja me emrin e firaunit të tij Sinan Idrizi që, mesa duket, e bën të ndjehet Pasha të Vlorës dhe gjithë Shqipërisë. Por, pas kësaj të djeshmes ne kemi edhe një pyetje tjetër për Edi Ramën:
Shkrimi i fletërrufeve me emrin e Sinanit është i përfshirë në fitimin që do të ndani apo paguhesh ekstra?
Profesioni si shkrues fletërrufesh do t’i shërbejë shumë shpejt, sepse do të vijë dita që Edi Rama, Sinanët dhe firaunët e tij të përgjigjen para drejtësisë për çdo vendim korruptiv për të pasuruar veten e tij në dëm të interesit publik!





