Një bandë hajdutësh shqiptarë në Cittadella të Italisë është shkatërruar nga karabinierët, katër anëtarë të saj kanë përfunduar në pranga dhe një tjetër në kërkim.
Në javët e fundit, 4 shqiptarët kishin grabitur gjashtë herë në provincat e Venezias, Vicenzas, Forlìsë e Riminit.
Të arrestuar janë Bajram Kabili, Can Hasani, Alfred Vathaj, Manjola Prela, tre të parët të arrestuar në Cittadella, e katërta në Cesenatico.
Banda e niste ditën me vëzhgimin e banesave në mëngjes, duke e kaluar pjesën më të madhe të ditës mes bashkëpatriotëve bashkëpunëtorë e duke u përzier me turistët. Vidhnin pa bërë dallime, duke thyer dritaret, ndërkohë që përdornin mjete transporti të ofruara po nga bashkatdhetarët. Zakonisht vidhnin shtëpi pa njerëz, por edhe ato të banuara nga të moshuar apo të paaftë fizikisht.
Koka e grupit konsiderohet Can Hasani, organizator i vjedhjeve dhe menaxhues i parave e sendeve të vjedhura.





