Karabinierët në Tenenza di Caivano, kanë arrestuar një 27-vjeçar shqiptar, i cili ishte shpallur në kërkim për akuzën e vrasjes së mbetur në tentativë.
Mediet italiane raportojnë se i arrestuari është Alban Perkoxha, i cili akuzohet se më 23 shkurt të këtij viti ka dashur të vrasë bashkëatdhetarin e tij, Fodion Alimani.
Ngjarja ndodhi në një bar në Caivano pas një konflikti midis Perkoxhës dhe Alimanit. Policia ka njoftuar se ka qenë pikërisht 27-vjeçari Perkoxha që i ka kërkuar Alimanit të dalin jashtë në rrugë për t’u sqaruar.
Pasi dolën nga ambientet e barit, Perkoxha ka nxjerrë pistoletën dhe ka qëlluar tre herë, duke e lënë të plagosur shqiptarin tjetër.
Hetimet filluan menjëherë pasi Alimani ishte dërguar në spital për të marrë ndihmën e parë.





