Media lokale në Itali ka shkruar sërish për vdekjen e Anxhela Meçanit duke dhënë detaje në lidhje me zbulimet që kanë dalë në dritë falë ekspertizës mjeko-ligjore.
Sipas Torino Today, Anxhela Meçani punonte si një prostitutë dhe ajo nuk është rrahur apo goditur. Autopsia tregon se 20-vjeçarja përpara se të hidhej (vullnetarisht apo me dhunë) nga makina nuk është goditur ashtu siç u raportua fillimisht në media. Rrjedhimisht dëmet që ajo ka pësuar kanë qenë pikërisht për shkak të impaktit me asfaltin.
Ky është konkluzioni i deritanishëm i dalë nga mjeku Roberto Testi, i caktuar nga prokurorët për të kryer autopsinë. Media italiane shkruan se tashmë mbetet të vërtetohet nëse e reja ka qenë në makinë dhe është hedhur apo nëse një makinë e ka goditur.
Ra keqas, ndoshta pas një zënke? U godit nga vetura (vullnetarisht ose pa dashje)?
Këto janë disa nga pyetjet e ngritura që shtron media lokale. Hipotezat e hapura në njëfarë mënyrë shtojnë akoma më shumë misterin e vdekjes së Anxhela Mecanit.
Ndërkohë familjarët dhe prindërit e 20-vjeçares mohojnë se e bija ishte prostitutë në Itali. Ata shprehen se vajza e tyre kishte shkuar në dhjetor me një të ri nga Fieri dhe ishte martuar me një italian për të arritur të marrë dokumentat italiane.





