Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Behgjet Pacolli, ka deklaruar se pret që Ukraina t’i njohë pasaportat e Kosovës deri në fund të vitit.

Këto parashikime, Pacolli i bëri gjatë raportimit para Komisionit parlamentar për punë të Jashtme.

Aty, Pacolli tha po ashtu se Polonia po ndihet e ofenduar nga Kosova, pasi që, sipas tij, Prishtina zyrtare nuk ka dërguar asnjë falënderim për njohjen e pavarësisë së Kosovës.

"Ka dhe nga ato shtete që e kanë njohur Kosovën dhe nuk ka pasur nga ana jonë një falënderim për to dhe këto shtete kanë mbetur të lënduara, siç është Polonia. Po punojmë që Ukraina t’i pranojë pasaportat e Kosovës dhe kjo mund të ndodhë deri në fund të vitit", tha Pacolli.

Sipas Pacollit, Ministria e Punëve të Jashtme, po harxhon kohë dhe mund për njohje të reja dhe ruajtjen e atyre që i ka Kosova.

"Kosova është njohur nga 116 vende dhe këto shtrihen në të gjithë globin. Kosova nuk është anëtare e OKB-së. Kosova nuk paraqet ndonjë forcë të madhe ekonomike. Njohjet mbesin një sfidë shumë e madhe. Nuk jam ndalur së vizituari shtetet në të gjitha kontinentet, sidomos ato që nuk e kanë njohur Kosovën", theksoi Pacolli.

Shefi i diplomacisë kosovare tha se është duke punuar edhe për akreditim të ambasadorëve rezidentë apo jorezidentë në vende të ndryshme./KlanKosova