U rrah barbarisht dhe më pas u hodh nga një makinë në ecje në rrugët e Torinos. Anxhela Meçani, prostituta 20-vjeçare me origjinë nga Shqipëria vdiq në spital, ku shkoi në gjendje kritike për jetën.  E reja kishte jetuar për disa vite në Ravenna, megjithatë ajo rezultonte banore atje që prej majit, pas martesës me një italian.

Pikërisht në Ravenna, në një apartament në rrugën Cairoli jeton ende Massimiliano, bashkëshorti i saj me origjinë nga Lecce, me të cilin po ndahej, raporton Il resto di Carlino.

“Nuk dija asgjë. Unë dhe Anxhela ishim ndarë prej disa muajsh. Ajo kishte ikur nga shtëpia, kishte marrë këtë vendim dhe unë e kisha respektuar”.

Me Massimilianon, shumë më i madh në moshë se ajo, ishte njohur në një lokal, në vitin 2015. Lidhja u kurorëzua me një martesë shkurtin e shkuar, por mori fund në pak javë. Bashkëshorti rendit disa arsye për fundin e kësaj martese, sherre për shkaqe sentimentale, por edhe për faktin se ai lëvizte kudo që gjente punë, ndërsa ajo nuk e pranonte diçka të tillë.

Pasditen e së hënës, Massimiliano telefonoi partnerin e ri të 20-vjeçares, pa ditur asgjë se çfarë kishte ndodhur. “Më tha vetëm që nuk mund të fliste, që ishte në polici dhe se e kishin vrarë”.

“Fillimisht mendova një aksident. Ishte prostitutë? Jo për sa kisha unë dijeni. Kur rrinte me mua në Ravenna, nuk kam kuptuar kurrë asgjë. Pas kësaj nuk di se çfarë mund të ketë bërë”, thotë Massimiliano, ndërsa më pas shton: “Ishte një vajzë gjithnjë e qeshur. Nuk meritonte këtë fund, ishte kaq e re…”

Ndërsa duke iu referuar vrasjes së mundshme, ai thotë se kushdo që ka bërë diçka të tillë është një fundërrinë. “Mund të zihesh, por nuk mund të arrish të vrasësh dikë në atë mënyrë. Vetëm mendimi për t’i bërë keq dikujt është prej injoranti dhe barbari. Për fat të keq kjo shoqëri po shkon drejt kësaj rruge…”