Gjykata e Tiranës ka ndryshuar masën e sigurisë për dy të rinjtë Marsel dhe Kridens Alla, të cilët akuzohen për vrasjen e 22-vjeçarit Marvi Mihali. Ndërsa për shtetasin tjetër bashkëpunëtor në vrasje, Eugen Bitraj, është lënë në fuqi masa e arrestit ‘detyrim paraqitje’. Hetimet për vrasjen e 22-vjeçarit janë mbyllur dhe dosja ka shkuar për gjykim.
Pak kohë më parë, Prokuroria liroi nga burgu tre të rinjtë, duke lënë pas hekurave vetëm njërin prej autorëve të krimit, Dejvi Bitrajn. Tashmë, gjykata vendos të rikthejë në burg edhe dy shokët e tij, duke hetuar në gjendje të lirë vetëm Eugen Bitrajn.
Vrasja për një karikues
Mësohet se mes të rinjve, ka pasur një debat mes 19-vjeçarit Dejvi Bitraj dhe Marvi Mihalit (viktima) dhe kushëririt të këtij të fundit. Më pas, sherri ka percipituar pasi Dejvi Bitraj ka thirrur në ndihmë kushëririn e tij, Eugen Bitraj, 24 vjeç, i cili ka shkuar bashkë me 3 shokë të tjerë.
Pasi kanë rrahur Marvin në rrugicën para lokalit, Dejvi Bitraj, e ka goditur me thikë në zemër duke i çarë aortën e zemrës. Marvin Mihali ndërroi jetë disa minuta më pas në spital.





