Një makinë tip "Benz" me targa AA320RX është përfshirë nga flakët në lëvizje në vendin e quajtur rrethrrotullimi tek ish-parku në Fier, në aksin rrugor drejt Patosit.
Makina, në momentin që mori flakë, po drejtohej nga Adriatik Agaj nga Vlora, por ai u shpreh se makina nuk ishte e tij, por e një të afërmi. Shoferi ka dalë me shpejtësi i trembur, ndërsa raportohet se nuk ka pësuar lëndime.
"Sapo pashë flakën nga mbrapa mjetit në ecje, ndalova dhe dola me shpejtësi", ka thënë ai.
Pas njoftimit mbërritën me shpejtësi zjarrfikësja dhe policia, duke bërë të mundur shuarjen e flakëve, ndërsa ende nuk dihet shkaku i zjarrit. Nga të dhënat e para dyshohet se shkak mund të ketë qenë një defekt teknik.





