Mbi 70 persona janë shtruar në spitalin e Gjilanit që nga data 8 qershor, me dyshimin se ata janë helmuar pas një darke të iftarit.
Detaje për këtë rast ka dhënë, Kryeshefi i Departamentit të Emergjencës me reanimacion, doktor Ukshin Ismajli.
Sipas tij, këta persona kanë ardhur në spital me simptoma të njëjta dhe po pretendojnë se janë helmuar në një restorant në Gjilan.
“Është një numër i rritur i pacientëve që janë hospitalizuar. Ata kanë ardhur me simptoma të vjelljes, diarre dhe temperaturë. Ne jemi duke vazhduar për t’ia ofruar shërbimin atyre. Të gjithë pacientët kanë thënë se ishin në një restorant para se të kishin këto simptoma, pra të gjithë po e thonë këtë gjë, por nuk mund të themi asgjë të saktë”, ka thënë Ismajli.
Sipas tij, ata i kanë bërë edhe sot analizat dhe po presin rezultatet për të dalë me përfundimet.
“I kemi bërë analizat, sot do të shohim kur të dalin rezultatet”, ka shtuar ai. /Express/