Një burrë ka mbetur i tmerruar kur zbuloi një kafkë njeriu në kopshtin pranë shtëpisë, teksa ishte duke mbjellë patate në një fshat në rajonin Omsk të Siberisë.

“Mos u tremb, është burri im i parë. E vrava 20 vjet më parë”, i tha bashkëshortja kopshtarit, i cili në këtë moment u tmerrua dyfish më shumë.

Gruaja i rrëfeu ngjarjen më pas bashkëshortit të saj aktual, duke i thënë se kishte vrarë burrin e saj të parë me sëpatë gjatë një grindjeje, pasi ai ishte kthyer në shtëpi i dehur dhe kishte nisur ta dhunonte.

Ajo e kishte qëlluar për vdekje burrin e saj dhe e kishte varrosur në kopshtin pranë shtëpisë dhe që atëherë nuk dihej asnjë gjë, teksa gruaja kishte thënë se ai kishte shkuar për të punuar dhe nuk ishte kthyer më.

Vrasësja i kërkoi burrit aktual të mos i tregonte gjë policisë, por ai nuk e fshehu krimin. Gruaja u vu në pranga, ndërsa përballet tashmë me një akuzë për vrasje dhe një dënim deri në 10 vite burg.

“Duke mbjellë patate, ky person mund të ketë shpëtuar jetën e tij”, tha një bashkëfshatar.