“Porti i së nesërmes” ishte tema e Konferencës së organizuar në Rotterdam nga “Europian Sea Ports Organization”, në të cilin mori pjesë edhe një përfaqësi nga Autoriteti Portual Durrës, që drejtohej nga Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv, Afrim Bakaj.
Në konferencën ku morën pjesë drejtues të porteve nga 18 vende të Europës si dhe përfaqësues nga institucione të rëndësishme, përfshirë edhe Parlamentin Europian u diskutua mbi zhvillimet e ardhshme portuale dhe marrëdhëniet mes porteve të ndryshme.
Drejtori Afrim Bakaj zhvilloi disa takime frutdhënëse me drejtues të disa porteve të rëndësishëm.
Gjatë takimit me drejtorin e strategjisë së korporatave në portin e Rotterdamit, Z. Viktor Schoenmakers, dhe drejtorin e përgjithshëm të këtij porti, Z. Rene Van Der Plas u diskutua mbi realizimin e objektivave në portin e Durrësit, me asistencë të këshilltarëve të jashtëm nga porti i madh evropian.
Mundësia e kontakteve dhe bashkëpunimit mes dy porteve ishte tema e diskutimit që z. Bakaj zhvilloi me zv/ drejtorin e përgjithshëm të portit të Barcelonës, Z. Santiago Garcia-Milla, i cili kryen edhe detyrën e presidentit të shoqatës ndërkombëtare të porteve.
Një bisedë e veçantë u zhvillua mes drejtorit të përgjithshëm Bakaj, me Presidentin e Sistemit të Autoritetit portual të Adriatikut jugor, Ugo Patroni Griffi. Mes dy porteve të Adriatikut, Durrësit dhe Barit, ka një bashkëpunim të hershëm, i cili kohët e fundit po zhvillohet me elementë të rinj në interes të dyanshëm.