Një person ka mbetur i plagosur me armë zjarri gjatë natës në qytetin e Sarandës. Ngjarja ndodhi rreth orës 03:10 në lagjen nr.1, jashtë ambienteve të një lokali.
Sipas policisë, i plagosuri është 31-vjeçari me iniciale A.R., banues në Konispol. Ai mësohet se ka mbetur i plagosur në shpatull me një plumb rikoshet dhe fatmirësisht është jashtë rrezikut për jetën.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua 1 predhë fisheku pistolete dhe 1 automjet BMW, i cili dyshohet se mund të jetë i autorit.
Policia thotë se për arsye hetimore nuk bëhen të ditura të dhëna të tjera.
Grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe identifikimin e kapjen e autorit.





