Një adoleshent është futur në telashe me drejtësinë pasi vendosi të hakmerrej për shkak se ngeli në klasë. Policia informon se shtetasi K.Ç, 17 vjeç, banues në Bilisht, akuzohet se ka vjedhur regjistrat e maturës së shkollës, por u pikas nga policia dhe tashmë po hetohet i lirë.
Njoftimi i policisë:
Më datë 31.05.2018, specialistët e Seksionit për Krimet në Komisariatin e Policisë Devoll, filluan procedimin penal në gjendje të lirë ndaj shtetasit: K.Ç, 17 vjeç, banues në Bilisht.
Pasi shtetasi i mësipërm, dyshohet të jetë autor i vjedhjes së regjistrave të maturës së shkollës së mesme në Bilisht, ngjarje e ndodhur gjatë natës, të cilët më pas iu gjetën dhe sekuestruan me cilësinë e provës materiale këtij të fundit.
Nga veprimet hetimore të kryera shtetasi K.Ç rezulton ngelës në këtë vit shkollor. Materialet i kaluan Prokurorisë të Rrethit Gjyqësor Korçë për veprën penale “Vjedhja” parashikuar nga neni 134 i Kodit Penal.





