*Një portret i shkurtër me rastin e 88-vjetorit të lindjes
Deviza e tij jetësore: “O njeri ndihmo vetveten”
Një postulat tjetër që ia vlen të mbahet mend:
“Nëse do të shkosh afër, shko vetëm, nëse do të shkosh larg, shko me shokë”
Nga BUJAR QESJA
Ia kisha taksur disa rradhë, Pavlo Rokos. Një detyrim, jo vetëm për moshën e tij të thyer, por edhe për rrugën tejet të vështirë, delikate, sfiduese, e shoqëruar nga një krenari e lindur, i një ustai të regjur në profesion. Duhet të guxojmë të shkruajmë për këta njerëz, që mbajtën në këmbë ekonominë e popullit, me djersën e pastër të trupit të tyre. Nuk duhet të ngatërrojmë komunizmin, me njeriun e ndershëm dhe patriot, sistemin me karakterin e papërkulur njërëzor, devotshmërinë me servilizmin, burrërinë nga e kundërta e saj, bindja për të marrë në jetë atë që meriton dhe jo të kamesh me pabesi.
Këto të parat e çdo mendimi, që shpreha në këtë ligjeratë të gjatë, i takojnë njëqind përqind 88-vjeçarit tonë.
Zoti ma solli kaq pranë Pavlo Rokon, apo rastësia, që nuk janë të rralla në gjallesën njerëzore, që e takoj gati për ditë. Përshëndetem me të dhe sapo ndahemi, e shoqëroj me sy. Ai largohet ngadalë, me duart kryqëzuar prapa, ul paksa kryet, duke besuar se mendimet e kaplojnë, për ti konsumuar të tjera minuta të jetës së mbetur.
Pavlo Roko! Një emër shumë i njohur. Një kryesues, i një revolucioni të bërë në mekanikën bujqësore shqiptare. Pavlo Roko, e tundi mjeshtërisht profesionin e tij të inxhinierit mekanik, në interes të zhvillimit të bujqësisë shqiptare.
Uzina mekanike bujqësore e Durrrësit, u bë një vatër aktive e aftësimit të personelit inxhiniero teknik, duke i ofruar zbatimin e teknologjisë së kohës. Dhe ky burrë i shkurtër, por me një mendje të kthjellët dhe shumë aktive, sapo kthehet nga Moska në vitin 1955, duke studiuar 5 vite inxhinjeri mekanike bujqësore, shpërthen në vitin 1962 kur prek UMB e Durrësit, për t'u vënë në krye të saj në periudhën 1969-1974.
O Zot, çfarë ka ndodhur në këtë UMB, që drejtoi pikërisht ky 88-vjeçari i sotëm, me emrin e famshëm dhe nderues Pavlo Roko! Prodhime të mirfillta, makineri për mbjellje të kulturave bujqësore, makina për shirjen e grurit, me emrin emblematik Tomorica, makina mbjellëse të misrit në kodër e fushë, makineri për shpërndarjen e plehut kimik, nivelues të tokës, etj.
Megjithëse një specialist rrace, i një niveli ndërkombëtar, megjithëse kishte tërhequr vëmëndjen edhe të nomeklaturës së kohës, Pavlo Roko kishte aftësinë e rrallë të zhvishej nga politika dhe të mbronte fuqishëm pozicionin profesional, me të cilin nuk bëri asnjë kompromis. Ai u mbështet fuqimisht tek punëtorët, tek kuadrot, tek kolegët dhe gjithçka që quhej punë, duke krijuar atë mburojë të artë dhe të fuqishme, për ekzistencën e tij dhe të familjes. Kishte në krah një bashkëshorte të përkryer Romanën, një biokimiste e profesioniste të zonjën, vajzat Xhildën, Irenën dhe djalin Dhimitër dhe këta shumë të aftë në profesionet e tyre.
Nga UMB-ja, drejtor i Albkontrollit dhe më pas i shkollës profesionale. Ka patur mjaft zikzake në jetë. Kur ishte drejtor në UMB, kishte në punë Ilir Hoxhën, djalin e diktatorit Enver Hoxha. Në UMB-në e Durrësit, vinte shpesh edhe ish kryeministri i sistemit të djeshëm Mehmet Shehu. Natyrisht UMB e drejtuar nga Pavlo Roko, ishte fuqia motorike e bujqësisë dhe vëmëndja ndaj saj, ishte më shumë se e madhe.
Dhe ky Pavlo Roko, mbeti dinjitoz, një personalitet i pandrryeshëm, duke mos bërë për asnjë çast servilin dhe të pështirin. Ai tregoi se, njeriu nuk matet nga gjatësia trupore, por nga pesha e mëndjes dhe e mendimit, nga fuqia e veprimit dhe inisiativës. Dhe këto cilësi, natyra ia kishte dhënë me pash Pavlos, këtij njeriu të urtë, shumë fisnik, me një kulturë, që të bën të ndjehesh pak ngushtë, me një thjeshtësi që ia rrit admirimin, me një personalitet absolutisht jo në rënie. Dhe këto dukuri, ishin mburoja më e madhe për Pavlon tonë, duke e bërë trim dhe të mënçur, në kalimin e shumë situatave delikate, të cilat i përcolli me shumë kurajo, me një nuhatje dhe psikologji tejet të veçantë.
Pavlo Roko, më 28 maj 2018 fiksoi 88 vite jetë. Dhe ditëlindja e tij, kalon ashtu thjeshtë dhe pa ndonjë efekt të veçantë, sikurse nuk do të ndodhte kjo, me ndonjë spurdhjak të kohës së sotme. Ky burrë i vlefshëm i Durrësit tonë, kurrë nuk e pa të arsyeshme të godiste gjoksin, e të krekosej me punën gjigande të bërë, siç bëjnë jo pak në kohën e sotme.
E ndjek për çdo ditë. E vështroj me kërshëri, sikur të ishte babai im. Sa i famshëm në kohën e tij. Dhe kjo, vetëm në saj të punës së tij krijuese, zbatuese, pse jo edhe shkencore. Punë, mësim, eksperimentim, dije, lodhje, mundim dhe kjo vetëm në zbatim të sentencës së tij të njohur :”O njeri, ndihmo vetveten! Sa e bukur dhe sa krenari pasqyron. Për të arritur, në një tjetër përcaktim emblematik:
-Nëse do të shkosh afër, shko vetëm. Nëse do të shkosh larg, shko me shokë”.
Dhe kështu me shokë, kaq të ëmbël, kaq njerëzor, kaq të gjallë dhe freskët, kaq punëtor dhe me mirësi, të duam edhe më tej Pavlo Roko.
Të urojmë me gjithë zemër, 88-vjetorin e lindjes. Të paçim gjithnjë pranë! Më shumë mirënjohje ndaj teje dhe brezit tënd të çmuar!
(Bujar Qesja
Dalë me inxhinierin, kuadrin dhe intelektualin e njohur Pavlo Roko,
28 maj 2018)





