Në kuadër të aksionit "Autostrada", policia e Vlorës ka sekuestruar 40.8 kg kanabis, arrestuar një person dhe shpallur në kërkim një tjetër.

Në pranga ka përfunduar shtetasi Erjon Malaj, 28 vjeç, banues në Vlorë pasi në automjet iu gjet 1 armë zjarri tip pistolete me 6 fishekë si dhe një palë dylbi, ndërsa në banesë iu sekuestrua lënda narkotike.

Gjithashtu është bërë shpallja në kërkim e shtetasit E (K).K., 37 vjeç, banues në Vlorë, pasi në aksin rrugor Vlorë-Novoselë, në momentin e ndalimit nga policia të mjetit tip “Peugeot”, ku udhëtonin të dy shtetasit, ky i fundit ka dalë nga mjeti dhe është larguar duke përfituar nga errësira.

Nga ana e policisë po punohet për kapjen dhe ndalimin e tij. Në cilësinë e provave materiale janë sekustruar edhe 2 automjete tip BMW e Peugeot.

Materialet hetimore do t’i referohen Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Vlorë për veprat penale “Prodhim shitja e narkotikëve” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit”, parashikuar nga neni 283 dhe 278 të Kodit Penal.