Pesë persona që kanë dijeni mbi faktin se kush ka banuar në atë apartament, ka shoqëruar policia e Durrësit 24 orë pas sekuestrimit të arsenalit të armëve.
Burimet nga policia e Durrësit kanë bërë me dije se në pyetje janë marrë persona që kanë dijeni dhe po ballafaqohen dëshmitë e tyre për të zbardhur bazën e një prej bandave më të rrezikshme që dyshohet se operon në trekëndëshin Durrës-Tiranë-Krujë.
Të njëjtat burime kanë thënë se nga sekuestrimi i armëve të zjarrit, dhe gjurmët e gishtërinjve që gjenden në to, pritet që laboratori i kriminalistikës i Ministrisë së Brendshme të hedhë dritë mbi identitetin e poseduesve të armëve.
Hetuesit janë shumë të bindur se kanë të bëjnë me një bandë shumë të rrezikshme duke nisur nga armatimi që disponojnë, i cili është prodhim i viteve të fundit e profesionalë në treg.
Prej katit të katërt e më në lartësi nuk kishte banuar prej kohësh asnjë njeri, kjo nisur edhe nga fakti që shkallët e pallatit, një ndërtim shumë cilësor dhe relativisht luksoz, kishin shumë kohë të papastruara.
Apartamenti prej 48 m² në pronësi të 56-vjeçarit nga Fieri gjendet në pjesën veriore. Në rrugën dytësore nga ana e kodrës, që lidh zonën turistike të Durrësit me Golemin kalon tunelet e ndërtuara në kohën e sistemit komunist. Duke vijuar rrugën e ngushtë pranë një blloku me pallate të reja, vijon rrugën lart në kodër.
Rreth 300 metra larg nga rruga kryesore gjendet pallati i madh ku në katin e gjashtë gjendej apartamenti. Një zonë shumë pak e frekunetuar nga banorët në tre stinë përveç verës. Pothuajse e gjithë zona me ndërtime të reja shërbejnë si apartamente të dyta për pushime nga banorët e kryeqyetit dhe të Kosovës. E gjithë zona mbetet jashtë vëmendjes së njerëzve për shkak se edhe në stinën e verës aty vijnë pushues ditorë apo qeraxhinj.
Por si u zbulua baza e një bande kriminale?
Rreth orës 2 e 30 minuta të së hënës datë 28 maj një grup personash me inspektorë të një zyre përmbarimore, të krimeve, të njësisë administrative, kanë shkuar për të vënë nën sekuestro një apartament i cili i përkiste shtetasit Xhevahir Lushka nga Mbrostari i Fierit, me banim në Linzë të Tiranës.
Pronari i apartamentit nuk ishte paraqitur asnjëherë në gjyq, dhe asnjëherë nuk ishte gjetur për tu lajmëruar nga policia e tre qyteteve si ajo e Durrësit, Tiranës dhe Fierit, për procesin gjyqësor të hapur ndaj tij nga një bankë e nivelit të dytë ku Lushka ishte debitor. Ai dyshohet se është emigrant në USA. Oficeri i policisë në prani edhe të personave të tjerë ka hapur derën e apartamentit dhe sapo kanë hyrë për të inventarizuar mobiljet dhe orenditë që gjendeshin në apartament, kanë ndjerë erën e rëndë të drogës që vinte nga dhomat e shtëpisë.
Në dhomën e ndenjes ata kanë gjetur dorezat e hedhura në kolltuqe, ndërsa në dhomën e gjumit, në dollapin e rrobave kanë gjetur armët e zjarrit, automatiku, snajperi dhe pistoleta me 4 silenciatorë dhe katër krehëra me fishekë.
Në sirtaret e komedinave janë gjetur veshjet që përdoren si kamuflazh i policisë, ndërsa në tualet ndodheshin fenelinat që vendosen në makinat policisë. Në ambiente të ndryshme të shtëpisë janë gjetur dy qese të zeza me një sasi mbi 2 kg kanabis sativa. Të gjitha këto sende u janë dërguar për të mbledhur provat që do të çojnë forcat blu në identifikimin e autorëve.
K.H.





