Në kuadër të zbatimit të planit të masave për sezonin turistik, Drejtoria Rajonale Tatimore Durrës zhvilloi një tryezë të përbashkët me subjektet e këtij qyteti, që ushtrojnë veprimtari në këtë sektor. Në këtë takim morën pjesë edhe drejtues të Shoqatës Shqiptare të Turizmit (ATA).
Drejtoresha e Drejtorisë Rajonale Tatimore Durrës, Valbona Sako, gjatë fjalës së saj, falënderoi subjektet për bashkëpunimin që kanë treguar me administratën tatimore dhe u kërkoi që të vazhdojnë të zbatojnë me korrektësi legjislacionin tatimor, si dhe detyrimet që rrjedhin prej tij.
Ajo tha se zbatimi i planit të hartuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve synon rritjen e të ardhurave nga një prej sektorëve më të rëndësishëm të ekonomisë së vendit, formalizimin e biznesit, rritjen e konkurrencës së ndershme, nxitjen e vetëdeklarimeve, por edhe hapjen e vendeve të reja të punës.
Nga ana e DRT-së Durrës, subjektet u siguruan se qëllimi nuk është penalizimi, por ndërgjegjësimi mbi detyrimet tatimore dhe se këto takime nuk janë garanci për informalët. “Ne jemi këtu për të forcuar urat e bashkëpunimit mes administratës tatimore dhe sipërmarrjes, për të nxitur sjelljen korrekte nga të dyja palët, të ofrojmë zgjidhje për problemet”, tha Sako.
Sipërmarrësit, ashtu edhe drejtuesit e ATA-s vlerësuan pozitivisht këto takime, që i shërbejnë mbarëvajtjes së sezonit turistik në vend.
Administrata Tatimore do të jetë në çdo kohë e pranishme në territor, për të kontrolluar dhe verifikuar nga afër situatën në të gjitha zonat turistike.