Një aksident i rëndë me pasojë vdekjen ka ndodhur orët e para të mëngjesit në aksin rrugor Elbasan-ish Kombinati Metalurgjik.
Sipas informacioneve paraprake, mësohet se automjeti që po lëvizte me shpejtësi ka dalë nga rruga e për pasojë ka përfunduar brenda një servisi makinash, duke shkatërruar dhe portën.
Nga përplasja e fortë me derën kryesore dhe murin rrethues, ka gjetur vdekjen në vend drejtuesi i automjetit, ndërkohë që makina është përfshirë nga flakët dhe është djegur plotësisht bashkë me trupin e viktimës.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 02:00 të mëngjesit, ndërkohë policia po punon për të përcaktuar identitetin e viktimës si dhe zbardhjen e rrethanave të aksidentit.





