Të shtënat me armë që ngjallën panik tek banorët në zonën afër postës së Vlorës, fatmirësisht nuk kanë shkaktuar të plagosur apo viktima.
Gjithçka ndodhi pas një sherri mes një djali 24-vjeçar dhe një grupi të rinjsh që ishin ulur në lokal. Pas sherrit i riu largohet me një motor dhe kthehet aty pak minuta më vonë (rreth orës 18:20) për t’u hakmarrë.
Nuk dihen ende arsyet e sherrit, por burime nga vendngjarja kanë konfirmuar se ai është kthyer i armatosur dhe ka qëlluar në ajër para lokalit.
Ndërsa ka tentuar të hyjë brenda për të vijuar me skenarin që kishte në kokë, disa persona të tjerë e kanë neutralizuar, duke shmangur kështu një masakër.
Në vendngjarje ka mbërritur menjëherë një furgon policie dhe është bërë shoqërimi i të riut. Pritet që ai të merret në pyetje, për të zbuluar shkaqet e sherrit që e shtynë të ngrinte armën.





