Policia gjatë kontrolleve të saj të fundit në terren, ka sekuestruar një mjet lundrues në grykëderdhje të lumit Ishëm. Sekuestrimi i mjetit u bë nga forcat e policisë së Lezhës, dhe pas verifikimeve rezultoi se ai ka hyrë në vend përmes portit të Durrësit që më 25 gusht të vitit 2017.

Sipas policisë, mjeti që i përket shtetasit G.K. vjeç 50, banues në Thumanë, nuk është regjistruar në Policinë Kufitare të Durrësit, duke iu shmangur kështu zhdoganimit.

Seksioni kundër krimit ekonomik e financiar ka referuar materialiet në Prokurorinë e Kurbinit për 50-vjeçarin, pronarin e mjetit lundrues.

Njoftimi i policisë:

Më datë 17.05.2018, u referuan materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës Parë Kurbin, për shtetasin G.K, vjeç 50, banues në Thumanë, Krujë, pasi më datë 16.05.2018, në grykëderdhje të lumit Ishëm, është konstatuar dhe sekuestruar një mjet lundrues i markës “CYTRS”, i cili ishte futur në portin e Durrësit me datë 25.08.2017 dhe dyshohet se i është shmangur zhdoganimit, duke mos u regjistruar në Policinë Kufitare dhe nuk është pajisur me certifikatë lundrimi. Neni 174 i Kodit Penal.