Një 27-vjeçar i arrestuar për vjedhje me dhunë është gjetur sot i vdekur në dhomat e sigurisë së Komisariatit të Policisë së Korçës.
Mësohet se viktima është shtetasi Enea Ftoj, banues në Korçë, i cili ishte ndaluar në datë 14.05.2018, për veprën penale "Vjedhja me dhunë".
Policia thotë se nga kqyrja e trupit nuk janë konstatuar shenja dhune dhe nga informacionet paraprake dyshohet se viktima ka qenë përdorues i lëndëve narkotike.
"U ngrit grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorit, për të përcaktuar shkaqet e vdekjes, si edhe për të kryer veprimet e nevojshme proceduriale".
Ndërkohë, familjarët e viktimës kanë hedhur akuza të rënda, ndërsa theksojnë se kanë dyshime se djali i tyre është dhunuar në paraburgim. Policia po heton rreth ngjarjes në fjalë.





