Kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi ka ndërprerë seancën e sotme plenare, pasi kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha refuzoi të lironte foltoren. Por kjo nuk e ka penguar kreun demokrat që të vijonte fjalën e tij. Ai është futur në transmetim live në Facebook, nga ku vijoi të flasë:

“Gjithçka që bëni ju këtu jo vetëm dëmton shqiptarët, por synon edhe t’i mbyllë gojën opozitës. Tani po të them Gramoz Ruçi që gojën opozitës nuk ke për t’ia mbyllur dot as ti as Edi Rama, as Fatmir Xhafaj. As me metodat e vjetra të sigurimit të shtetit ku jeni shkolluar dhe rritur dhe as me metodat e reja për të cilat ju kanë mësuar ata që ju japin milionat e drogës. Prandaj unë do të vazhdoj deri në fund këtu fjalën për çështjen e vetme që ka ky parlament, po të ishte parlament”, tha Basha, duke paralajmëruar se fjalimin e tij do ta vazhdonte live në rrjetet sociale.

Ruçi iu përgjigj duke theksuar se “nuk është në dorën time Basha që të zgjedh dhe të marr, në dorën time është të zbatoj rregulloren e parlamentit.”

Ndërsa pasi Basha refuzoi të lironte foltoren, Ruçi ndërpreu seancën për 10 minuta. Në sallë mbetën vetëm deputetët e opozitës.