Kryeministri Edi Rama ka folur në parlament për akuzat e opozitës ndaj vëllait të ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj, duke thënë se kjo është një çështje e vjetër.
Në fjalën e tij para deputetëve socialistë pasi opozita ishte larguar, Rama tha se partnerët ndërkombëtarë janë në dijeni të kësaj situate dhe nuk kanë folur asnjëherë. As ambasadori amerikan Donald Lu nuk ka reaguar asnjëherë për këtë çështje, u shpreh Kryeministri, duke sqaruar se ministri Xhafaj nuk ka asnjë përgjegjësi në lidhje me vëllanë e tij, i cili është dënuar në Itali për trafik droge.
“Dje ministri i Brendshëm foli dhe nuk tha asgjë të re, përsëriti atë që ka thënë në harkun kohor të 15 viteve të fundit. Fakti është i njohur botërisht. Por fakti është i njohur jo vetëm për ata shqiptarë, por është i njohur edhe nga partnerët ndërkombëtarë.
Dhe nëse në këtë zurna do të kishte një grimcë të vërtete lidhur me përgjegjësi të çfarëdo natyre të ministrit tonë të Brendshëm, asnjë shqiptar nuk e quan të paarsyeshme bindjen time se përpara se të flisnin këta do kishte folur miku ynë ambasadori amerikan, do kishte folur Bashkimi Europian, do kishin folur ata të cilët nuk kanë lënë rast pa folur pasi nuk kanë lënë rast pa verifikuar. Ata as kanë folur dhe as kanë për të folur”, tha Kryeministri.





