Një shqiptar i ri në moshë është vrarë me armë zjarri mbrëmjen e 9 majit në Siena të Italisë. Krimi ka ndodhur në një rrugicë disa metra larg sheshit kryesor të fshatit.

Sipas raportimeve të deritanishme të medieve italiane, viktima është një 22-vjeçar, emri i të cilit nuk është bërë me dije. Autori qëlloi me pistoletë drejt tij dhe plumbi e kapi në qafë, dhe si pasojë shqiptari ndërroi jetë disa minuta më vonë.

Forcat e policisë kanë bërë të mundur ndalimin e një personi të dyshuar si autor i vrasjes, që u kap disa metra larg skenës së krimit. Ai është një 34-vjeçar me origjinë nga Sardenja dhe banues në Arezzo.

Sipas hetimeve paraprake, shqiptari kishte shkuar në Sinalunga për darkë në shtëpinë e disa miqve të tij. Policia thotë se 22-vjeçari doli nga banesa ku ndodhej për darkë, pasi e thërriti autori i dyshuar. Mendohet që shqiptari u nxor në pritë nga autori duke përdorur një justifikim.

Paraprakisht dyshohet se ngjarja ka ndodhur për larje hesapesh. Ndërkohë hetimet janë në zhvillim.