Ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj tha të mërkurën se dënimi para 15 vitesh i vëllait të tij në Itali “ka qenë dhe mbetet një histori e tij personale dhe vetëm e tij.”
“Historia e tim vëllai, e lidhur me një ngjarje të vitit 2002 kur ai ishte një 25 vjeçar i gjendur në vendin e gabuar, dhe nën shoqërinë e njerëzve të gabuar, nuk e implikon as dje dhe as sot qeverinë ku unë bëj pjesë. Ajo ka qenë dhe mbetet një histori e tij personale dhe vetëm e tij. Cilido në këtë vend, përfshirë edhe mua apo familjarë të mitë, nuk është mbi ligjin”, tha Xhafaj.
“Sot PD paketoi mediatikisht një çështje të ndodhur në vitin 2002 dhe ka mbi 15 vjet që e sjell dhe e risjell si çështje. Nuk kuptoj dhe nuk kam si të kuptoj se çfarë kërkohet sot tjetër përveç baltosjes sime, nëse në raport me këtë çështje as kam pasur dhe as kam asnjë lloj pushteti për të ndikuar mbi të në çfarëdolloj forme.”
Më herët gjatë ditës së sotme, Partia Demokratike publikoi dosjen e Agron Xhafajt, vëllait të Ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj, në të cilën thuhej se ai rezulton i dënuar në Itali me 7 vjet e 2 muaj burg për trafik droge dhe pjesëmarrje në organizatë kriminale.
Opozita tha se vendimi i formës së prerë të Gjykatës së Kasacionit në Itali, diktonte përgjegjësi politike për Ministrin Xhafaj, i cili duhet të japë llogari se përse nuk ka nisur procedurat për arrestimin e Agron Xhafajt.





