Zbulohen detaje të reja nga plagosja e ndodhur mbrëmë në një lokal në zonën e "Don Boskos" në kryeqytet. Të shtënat me armë kanë ardhur si pasojë e një zënke të nisur mes Bledi Zanit 34 vjeç dhe nipit të tij Julian Koliqi.
Mësohet se nipi ka shkuar në lokal dhe ka nisur të qortojë dajën që pinte alkool. Ndërsa i riu i ka kërkuar të çohet nga lokali, mes të dyve ka nisur një sherr verbal. Në sherr e sipër daja e ka kërcënuar nipin me armë dhe ka qëlluar në ajër.
Policia ka sekuestruar një gëzhojë model 54 në vendngjarje. Pas identifikimit ka shkuar në banesën e tij por nuk e ka gjetur. 34-vjeçari është shpallur në kërkim që prej mbrëmjes së djeshme, ndërkohë që po punojnë për të rënë në gjurmët e tij.





