Tre persona kanë tentuar të vjedhin një ofiçinë gjatë natës në Kurbin, ndërkohë është vërtetuar edhe autorësia e vjedhjes së kryer në mars nga një prej personave.

Në pranga u vu Aurel Marku, 29 vjeç, banues në Kurbin, ndërsa dy të tjerë, A.Ll. 16 vjeç dhe R.P. 16 vjeç, banues në Laç u proceduan në gjendje të lirë për shkak të moshës.

"Procedimi penal ndaj tyre është referuar pasi këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë tentuar të vjedhin ofiçinën e shtetasit L.K. në Laç, ku janë kapur në flagrancë nga forcat policore në momentin që po transportonin materialet për në automjetin e tyre. Aurel Marku dhe shtetasi  R.P. , janë kapur në flagrancë, kurse shtetasi A.Ll. ka arritur të largohet por falë një pune të mirëorganizuar nga forcat policore, u kap më pas", sqaruan blutë e Kurbinit.   

Në cilësinë e proves materiale, u janë sekuestruar materiale si elektromotorë, dinamo etj që po tentonin t'i vidhnin tek ofiçina si dhe mjeti tip Benz me targë AA048KA që e përdornin autorët.

Gjithashtu, policia thotë se gjatë natës, këta shtetas në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë tentuar të vjedhin lokalin e shtetasit M.D. në Laç ku kanë thyer vetëm një xham.

Nga veprimet hetimore të kryera, është vërtetuar edhe autorësia e një vjedhjeje tjetër të ndodhur më datë 20.03.2018, të shtëpisë së shtetasit L.D. banues në Laç, ku janë marrë një televizor plazma si dhe disa vegla pune. Autor i dyshuar i kësaj ngjarjeje është shtetasi A.Ll.16 vjeç.

Ata akuzohen për veprën penale "Vjedhje" e kryer në bashkëpunim e mbetur në tentativë.