Një 27-vjeçar dhe e fejuara e tij mbetën të plagosur me thikë nga tre persona pasditen e sotme në Tiranë. Ngjarja ndodhi jashtë ambienteve të një lokali në zonën e Unazës së Re, teksa tre persona kanë qëlluar me thikë Altin M., 27 vjeç dhe të fejuarën e tij Klaudia K., 23 vjeçe, pas një konflikti.

Mësohet se sherri ka nisur pasi njeri nga tre personat ka ngacmuar të fejuarën e 27-vjeçarit. Ky i fundit ka tentuar të iki nga lokali bashkë me 23-vjeçaren, por sapo kanë dalë jashtë tre të rinjtë e kanë ngacmuar sërish.

Kur 27-vjeçari është përgjigjur, njëri prej tyre e ka plagosur me thikë. E fejuara ka ndërhyrë për t’i ndarë, por është plagosur edhe ajo.

Pasi kanë qëlluar me thikë, tre autorët, H.N, Ç.Sh dhe F.P., janë larguar me shpejtësi, ndërsa policia i ka arrestuar pak minuta më vonë.