Për ish-ministrin e Jashtëm të PD-së Besnik Mustafaj, dorëheqja nga mandati i deputetit të Saimir Tahirit, ka ardhur pas presioneve që Berlini i bëri Kryeministrit Edi Rama. I ftuar në rubrikën ‘Opinion’ në News24, Besnik Mustafaj e cilëson lënien e mandatit nga ana e ish-ministrit të Brendshëm si një veprim të duhur, por se sipas tij ka ardhur pas një pakti me Ramën.
“Unë besoj se është veprimi i duhur dhe ky veprim tregon se është i akorduar me kryeministrin. Nëse do ishte kaq trim përballe drejtësisë Tahiri do kishte vepruar që në fillim. Unë besoj se kjo është në një marrëveshje mes të dyve dhe ky hap i tyre lidhet me vizitën e kryeministrit në Gjermani. Kjo është një marrëveshje e bërë pas kthimit të Ramës nga Gjermania. Rama gënjeu në Gjermani kur u pyet për Tahirin dhe ai tha që Tahirit i është hequr mandati deputetit”,- tha Mustafaj
Për këtë arsye, Mustafaj, e cilëson ish-ministrin Tahiri me deklaratën e sotme, si një shantazhist.
“Ne tashmë presim reagimin e Prokurorisë duke nisur që nga dita e sotme. Hipoteza ime është se garancia që i ka dhënë kryeministri Tahirit ka qenë garancia e prokurorisë. Shantazhisti më profesional që ka njohur Shqipëria në këto 30 vite është Saimir Tahiri. Unë do doja që Prokuroria të lëvizte. Prokuroria t’i kërkojë Kuvendit përshpejtimin e procedurave për arrestimin e Tahirit. Unë nuk di çfarë faktesh ka Tahiri, por lëvizja e mimikës së tij është e frikshme. Saimir Tahiri nuk ishte i trembur sot gjatë konferencës së tij. Unë parashikoj që kjo çështje do vazhdojë gjatë. Ndeshja tani bëhet mes mbrojtësve të Tahirit dhe prokurorisë”,-tha Mustafaj.





