Kryeministri Edi Rama mohoi që Gjermania të ketë kërkuar arrestimin e ish-ministrit Saimir Tahiri, si kusht për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian.
Kreu i qeverisë duke folur nga foltorja e Kuvendit pas largimit të opozitës, i konsideroi gënjeshtra deklaratat e PD për një kusht të tillë dhe tha se në Bundestag kishte dëgjuar në gjermanisht atë që kemi dëgjuar të gjithë në shqip për katër vite.
“Ne morëm rekomandimin pozitiv për çeljen e negociatave pa kushte. Kemi marrë një dëftesë që asnjë prej këtyre profesorëve apo çirakëve të bashkuar në emër të popullit, nuk e konteston dot. E arritëm këtë jo vetëm duke luftuar për progresin, por edhe duke luftuar për të kapërcyer çdo ditë kodrat e malet me baltë që kjo opozitë eksporton në zyrat europiane ku flitet për Shqipërinë”.
Ndër të tjera, Rama i konsideroi anëtarët e opozitës si “baba e rrenës dhe nona e shpifjes”, ndërsa u shpreh se po të jetë për ta, Partia Socialiste rron një mijë vjet në pushtet.





