Luçiano Boçi, deputet i PD-së, ka ironizuar kryeministrin Edi Rama lidhur me deklaratat e një dite më parë kur tha se janë shkatërruar 9 banda kriminale.

Përmes një postimi në Facebook, deputeti demokrat shkruan se "kush nuk beson kryeministrin tonë të lavdishëm, të lexojë më poshtë bandat që ka goditur Rama këto muaj të qeverisjes, në bashkëpunim të ngushtë me Balilajt, Habilajt drejtorët e arratisur e me 'ca koka'."

POSTIMI I PLOTË

9 BANDAT QË KA GODITUR RAMA

Dje Rama deklaroi që ka eleminuar 9 nga 40 bandat që operojnë në Shqipëri, të numëruara nga Ministri i Brendshëm.

Kush nuk beson kryeministrin tonë të lavdishëm, të lexojë më poshtë bandat që ka goditur Rama këto muaj të qeverisjes, në bashkëpunim të ngushtë me Balilajt, Habilajt drejtorët e arratisur e me “ca koka”.

E mos thoni pastaj që nuk e meritojmë hapjen e negociatave!!!!

1. Banda e protestuesve të Kukësit, që dolën kundër taksës së rrugës. Drejtësia “popullore” po i mban akoma në burg.

2. Banda e anëtarëve të Forumit Rinor të PD që bashkëponin ngushtë me ato të LRI-së. Këto mbahen ende në vëzhgim si të rrezikshëm për rendin e qetësinë.

3. Banda e fukarejve të ndihmës ekonomike. Kjo ishte dhe banda më e madhe e zbuluar ndonjëherë në histori, me rreth 30.000 anëtarë.

4. Banda e Lushnjes, e fermerëve që nuk shisnin dot produktet e tyre dhe i hodhën në rrugë.

5. Banda e të rinjve të Shkodrës që i prenë rrugën K/m-së.

6. Banda e protestueve të bllokimit të rrugëve nacionale që bashkëpunonin ngushtë dhe me politikanë “kriminelë” nga opozita, të proceduar të gjithë.

7. Banda e Vërrisë që doli kundër inceneratorit.

8. Banda e berberëve që nuk pajisnin me kupon ata që rruanin.

9. Banda e lagjes sime që drejtohej nga kapoja dentist që kishte blerë një makinë të re Skoda “luksoze”……me leasing.