Gjatë 3 muajve të parë të këtij viti në portin e Durrësit janë përpunuar 355 anije dhe tragete, duke shënuar një rritje prej 14 për qind më shumë mallra krahasuar me periudhën janar-mars të vitit 2017.
Shkëmbimet e mallrave janë kryer kryesisht me vende si Rusia (22 për qind), Turqia (19 për qind), Italia (17), Malta (8), Ukraina (7), Greqia, Libia dhe Egjypti (nga 5 për qind secila), etj.
Sipas të dhënave të Sektorit të Statistikave në APD, gjatë këtij 3-mujori nga anijet dhe tragetet janë përpunuar në kalata mbi 894 mijë tonë mallra të ndryshme gjithsej.
Nga statistikat 3-mujore mësohet se 60 për qind e eksporteve i janë drejtuar me anije dhe tragete Italisë, 37 për qind janë nisur për në Maltë, ndërsa 3 për qind të mbetura kanë patur si drejtim Francën.
Importet vijnë kryesisht nga Rusia (28 për qind) dhe Turqia (24 për qind), që kryejnë së bashku më shumë se gjysmën e importit të mallrave drejt Durrësit. Bashkë me Greqinë, Italinë, Ukrainën dhe Egjyptin (me nga 9-5 për qind secila), mallrat e importit mbërrijnë me anije edhe nga Libia, Spanja, Bullgaria, Franca, etj.