*Edhe dy vogëlushë indianë vijnë me vështirësi në Shqipëri: S'kishte ambasadë shqiptare, erdhëm nga Abu Dabi!

Prej disa ditësh, në një prej resorteve në plazhin e bukur të Golemit, është duke u zhvilluar  Kampionati Botëror i Shahut me pjesëmarrje të 400 fëmijëve nga 40 vende të botës. Fëmijët nga Rusia, India, Kina e Turqia bëjnë diferencën në raport me konkurrentët e tjerë përsa i përket nivelit të përgatitjes së tyre.

Shahistët, djem dhe vajza të moshave nga 6-17 vjeç, po ndeshen në 6 kategori të ndryshme moshash, në 9 ture radhazi, që do të përfundojnë më 29 prill.

Tom Giorgevic, është një prej 8-vjeçarëve i cili përfaqëson Gjermaninë në këtë kampionat botëror. Të paktë janë ata që e dinë se Tomi është i biri i një emigranti, Arjanit nga Vlora, i cili u largua në Gjermani 25 vjet më parë,  aty ku edhe ndërtoi familjen me një vajzë serbo- kroate.

Të dy prindërit janë gëzuar po njësoj si biri i tyre që sapo përfundoi garën. Tomi tashmë numëron katër fitore në tetë ndeshje. Kur e pyesim se cilit shtet i përket zemra e vogëlushit,  përfaqësues i Gjermanisë, thotë se është në mes: midis Gjermanisë, Kroacisë dhe Shqipërisë.

Arjani tregon se me Tomin vjen çdo verë në vendlindjen e tij në Vlorë dhe Tiranë për pushime. Edhe bashkëshortja e tij e adhuron natyrën e Shqipërisë.

*Edhe dy indianë vijnë me vështirësi në Shqipëri

Nga India e largët kanë mbërritur edhe dy vogëlushë së bashku me baballarët  e tyre. Ishahan Kanuja 7 vjeç dhe Rathin Dinesh, janë lojtarë që kanë marrë pjesë në disa turne e kampionate në shtete të ndryshme të botës. Përveç Indisë, ata kanë konkurruar në Siri Lanka, Rusi, Kazakistan etj. ata janë favoritë për të fituar titullin në këtë kampionat. 

Prindërit thonë se kanë ardhur me mjaft vështirësi për shkak se në Indi nuk kishte ambasadë shqiptare. Pasi kanë mbërritur në Abu Dabi është bërë i mundur kontaktimi me palën shqiptare për t’u pajisur me vizë. Në Durrës janë mirëpritur e janë shumë të kënaqur gjatë ditëve që po qëndrojnë këtu.

Sekretarja e Federatës Shqiptare të Shahut Mailinda Bilci tha se edhe lojtarët shqiptarë kanë bërë një garë të fortë në këtë Kampionat Botëror.

Mbrëmjen e kësaj të diele, pritet të mbyllet Kampionati Botëror i shahut, i cili përveç se solli për herë të parë lojtarë nga e gjithë bota, promovoi edhe vlerat e mikpritjes shqiptare dhe turizmin e Adriatikut .

K.H.