Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, në fjalën e mbajtur në Kuvendin Kombëtar të Partisë Demokratike, pranoi se kishte bërë gabime duke shtuar se dora e tij mbetet e shtrirë për të gjithë ata që duan të kontribuojnë për të kthyer këtij vendi shpresën dhe besimin tek e nesërmja.
“Unë kam bërë gabimet e mia, për të cilat kam pranuar përgjegjësinë time. Nuk dua ta zbeh këtë përgjegjësi, por çdo gjë që kam bërë e kam bërë me qëllimin për t’i shërbyer njerëzve, i bindur për problemet dhe rreziqet që u kanoseshin atyre dhe vendit. Jam i vetëdijshëm për gabimet e mija, të diktuara nga rrethanat, koha dhe gjendja në të cilën ndodheshim. Kam diskutuar për to me mijëra demokratë gjatë muajve të fundit—kam dëgjuar mendimet e tyre, kam pranuar kritikat e tyre, kam gjetur mirëkuptimin dhe kam marrë mbështetjen e tyre.”
Në një referencë për të gjithë kritikët brenda Partisë, Basha tha se dora e tij mbetet e shtrirë për të gjithë ata që duan të kontribuojnë.
“Nga ky Kuvend i madh dua ti shtrij dorën gjithsecilit që dëshiron të kontribojë dhe të bashkohet me ne për ti kthyer këtij vendi shpresën dhe besimin tek e nesërmja. Dora ime do të mbetet e shtrirë jo për pazare as për të bërë fotografi por që së bashku të ndërtojmë rrugën tonë drejt suksesit. Qeverisja e Edi Ramës është kriminale. Eshtë qeveri hajdute. Mashtruese. Eshtë qeveri e një grushti njerëzish. Eshtë anti-popullore. Eshtë një kastë që shërben vetëm interesat e saj. Në Shqipëri Edi Rama ka instaluar një qeveri private ku vendos vetëm ai. Kuksianët janë në burg. Dritan Zagani është në mërgim. Saimir Tahiri është në parlament. Tahiri është i lirë, edhe pse është ministri i brendshëm më i implikuar në krim në gjithë historinë e Europës. Nuk është kuvendi, nuk është qeveria, nuk janë institucionet shtetërore që bëjnë politika dhe vendosin politikat e vendit. Është Edi Rama me një grusht klientësh, dhe në ortakëri me krimin. Çdo minutë oligarkët e Ramës marrin mijëra euro nga paratë tona përmes konçesioneve, kontratave dhe favoreve direkte nga buxheti i shtetit. Pengmarrësit e kësaj qeverisje janë Gjiknuri, Veliaj, Dako i bandave të Durrësit, Qazim Sejdini me bandat e tij të heroines. Pengmarrësit e socialistëve janë Balilajt dhe Habilajt, janë oligarkët dhe klientët e Edi Ramës. Simboli më i turpshëm i kësaj qeverisje, është ai që i lidh të gjithë këta bashkë.”





