Beberi Azem Sheshi është i njohur për afëtsitë e tij në prerjen e flokëve tek meshkujt. Sheshi arrin të qethë meshkujt me sy mbyllur, me tre gërshërë, me një dorë dhe me çakmak.

I ftuar në emisionin 'Ditë e Re', ai tha se pasioni i tij për punën si berber ka nisur që në moshë të vogël. Por profesionin e ka filluar në moshën 16-vjeçare.

"E kam pasion që në vogëli punën e berberit dhe fillimi ka qenë i vështirë. Ky zanat nuk ka fund. Mënyrat me të cilat unë bëj prerjet e veçanta më motivon për të punuar akoma më shumë."

Sheshi tregoi se prerja e flokëve me sy mbyllur duket e frikshme në fillim për klientët por më pas e pëlqejnë shumë, vetë ai nuk e ka problem të presë me sy mbyllur, pasi e ndjen flokun.

"Në pamje të parë për klientët duket e frikshme prerja me sy mbyllur por deri tani për fat të mirë nuk ka ndodhur asnjë incident. Klientët e pëlqejnë shumë. Unë e ndjej flokun kur bëj prerjet me sy mbyllur, nuk e kam problem. Arrij të pres vetëm pjesën lart të flokëve dhe jo pjesën anash."

Ndërsa përsa i përket prerjes me djegie tregoi se gjatë procesit flokur duhet të jetë i thatë.

"Floku duhet të jetë i thatë. Bëhet vetëm tek meshkujt me flokë të gjatë. Prerja nuk bëhet me gërshërë dhe jo me flakë. Më pas rregullohen me gel. Me djegien floku bëhet më i hollë dhe rregullohet më shpejt me xhel."