Partia Demokratike ka reaguar për skandalin e falimentimit të kompanisë së tregtimit të naftës “Gulf” e cila rezultoi të kishte ngritur një skemë gati piramidale shitjeje tollonash nafte dhe benzine me çmime deri 30 përqind më të ulëta se tregu.

Përmes një paneli deputetësh dhe ekspertësh ekonomikë demokratët janë të mendimit se një kompani si “Gulf” që ka si pronarë një kompani "offshore" në parajsat fiskale, me aksionerë krejt të panjohur, nuk mund të mos ketë pasur bekimin e qeverisë.

Nënkryetarja e Komisionit të Ekonomisë, Jorida Tabaku deklaroi se “ministri Gjinknuri heshti kur kjo komani u hodh në treg”. Të tilla kompani sipas saj, janë arsyet pse në Shqipëri nuk vijnë investitorët seriozë.

Sakaq, drejtuesja e Departamentit Antikorrupsion, Lealba Pelinku tha se “një skemë e tillë nuk mund të ngrihet pa bekimin e qeverisë”.

Këshilltari ekonomik i grupit të PD-së, Dorian Teliti tha se nga kjo skemë janë dëmtuar konsumatorët shqiptarë dhe buxheti i shtetit. “Tre janë pikat kryesore ku është dëmtuar konsumatori: Cilësia, të gjithë e dimë që ARMO përpunon por cilësia nuk iu afrohet standardeve të BE. Elementi i javës së fundit: U shitën me mijëra tollona tek konsumatorët që kanë në dorë letra bakalli. Buxhetit të shtetit do i mungojnë miliona dollarë”.